Kryeqyteti rus, Moska, është vënë sërish në shënjestër të sulmeve me dronë, pasi autoritetet kanë njoftuar se dhjetëra mjete ajrore pa pilot janë rrëzuar në orët e para të mëngjesit.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, deklaroi se rreth 60 dronë që ishin drejtuar drejt qytetit janë neutralizuar nga mbrojtja ajrore ruse, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në zonat ku kanë rënë mbetjet e tyre.
Për shkak të situatës së sigurisë, disa aeroporte kryesore të Moskës, përfshirë Sheremetyevo, Domodedovo, Vnukovo dhe Zhukovsky, kanë pezulluar përkohësisht fluturimet. Më vonë, autoritetet njoftuan se operacionet ajrore janë rikthyer gradualisht në normalitet.
Ngjarja vjen disa ditë pas sulmeve të mëparshme që kishin shënjestruar infrastrukturën energjetike në kryeqytetin rus, duke rritur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.




