Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Universiteti i Prishtinës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional.
Sipas Maqedoncit, ky partneritet do të krijojë mundësi për studime, projekte kërkimore, trajnime profesionale dhe përfshirje të ekspertizës akademike në zhvillimin e politikave dhe kapaciteteve të mbrojtjes.
Ai theksoi se bashkëpunimi me universitetin është i rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve vendore në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe për fuqizimin e sektorit të mbrojtjes.
Maqedonci shtoi se studentët dhe ekspertët e ardhshëm do të kenë rol kyç në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit, ndërsa e cilësoi këtë si një hap në shërbim të forcimit të sigurisë së Kosovës.




