Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, me qëllim forcimin e zhvillimit dhe promovimit të produkteve agro-ushqimore të dy vendeve.
Në një konferencë për media në Tiranë, ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Andis Salla, dhe ministri i Bujqësisë së Kosovës, Armend Muja, theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në këtë sektor.
Salla tha se marrëveshjet dëshmojnë marrëdhënie të mira mes dy vendeve dhe vullnet për t’i kthyer ato në rezultate konkrete për fermerët dhe qytetarët. Sipas tij, bashkëpunimi do të fokusohet në inovacionin bujqësor, transferimin e teknologjisë dhe promovimin e përbashkët të produkteve agro-ushqimore.
Ai shtoi se synohet rritja e pranisë së produkteve vendase në tregje dhe forcimi i bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë, si dhe modernizimi dhe digjitalizimi i sektorit bujqësor.
Ndërkohë, ministri Armend Muja theksoi se marrëveshjet mundësojnë shkëmbim njohurish dhe teknologjish mes fermerëve të dy vendeve, duke rritur konkurrueshmërinë e sektorit./EO/




