Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka deklaruar se qasja në arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave mbetet thelbësore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, ai tha se mungesa e informacionit të besueshëm dhe mos-hapja e dokumenteve të klasifikuara nga Serbia mbeten sfida kryesore në këtë proces.
Sipas tij, kjo brigadë ka pasur rol operativ gjatë luftës në vitin 1999, veçanërisht në rajonin e Drenicës, dhe është e ndërlidhur me një sërë ngjarjesh dhe viktimash civile.
Gara tha se në dokumente ndërkombëtare përmenden lidhje të kësaj brigade me raste të krimeve të luftës dhe viktima të shumta, përfshirë masakra dhe persona të zhdukur.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia i ka klasifikuar këto arkiva si sekret shtetëror për dekada, duke vështirësuar hetimet, ndërsa nënvizoi se qasja në to është kusht kyç për zbardhjen e fatit të rreth 1,600 personave të zhdukur në Kosovë.




