Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në samitin e fundit të NATO, duke vlerësuar se kjo lidhet me mungesën e stabilitetit institucional në vend.
Sipas Hazirit, Kosova është penalizuar në Samitin e NATO-s në Ankara, ndërsa mosardhja e ftesës, sipas tij, është pasojë e krizës së vazhdueshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.
Ai theksoi se në një kohë kur zhvillimet globale po ndryshojnë me ritme të shpejta, Kosova vazhdon të mbetet e përfshirë në kriza politike dhe në një cikël të mbyllur mosfunksionimi institucional.
Haziri bëri thirrje për reflektim dhe bashkëpunim politik, duke theksuar se vetëm përmes proceseve të përbashkëta politike mund të arrihet normalizimi dhe stabilizimi i vendit.
“Republika mbi të gjithë”, përfundoi ai në reagimin e tij.




