Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se do të nisë hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për keqtrajtim të personave të ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor.
Sipas IPK-së, deri tani nuk është pranuar asnjë ankesë zyrtare, por rasti do të hetohet pas raportimeve dhe pretendimeve të ngritura në opinion publik.
Gjatë këtij manifestimi, Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, prej të cilëve 36 janë akuzuar për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”, ndërsa një person është gjobitur.
Në opinion janë raportuar pretendime për keqtrajtim fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa rastin po e hetojnë edhe Avokati i Popullit në Kosovë dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.




