Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë në detyrë, duke pretenduar se në proceset e prokurimit publik po ndodhin parregullsi që dëmtojnë buxhetin e shtetit.
Gjatë një interviste në emisionin “KIKS Kosova”, Bajrami tha se në disa raste tenderët publikë përfundojnë me kosto shumë më të larta sesa do të duhej, duke përmendur si shembuj projekte të infrastrukturës, objekteve publike, furnizimeve dhe shërbimeve të ndryshme.
Sipas saj, në procedurat e tenderimit kompanitë duhet të konkurrojnë me ofertat më të favorshme, por në praktikë, siç pretendon ajo, shpesh krijohen situata ku fituesit përzgjidhen në mënyrë që organizatat buxhetore të paguajnë çmime më të larta.
Bajrami deklaroi se në raste të tilla kostoja për institucionet publike mund të jetë dyfish apo edhe trefish më e madhe, duke kërkuar më shumë transparencë dhe mbikëqyrje në proceset e prokurimit publik.




