Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka shprehur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur me Ligjin për Shtetësinë.
Duke folur në një intervistë për T7, Qalaj tha se dispozitat e këtij ligji mund të krijojnë mundësi që shtetësinë e Kosovës ta fitojnë edhe pasardhës të personave që kanë kryer krime gjatë luftës.
Sipas tij, përfitues potencialë mund të jenë fëmijët, nipat dhe mbesat e personave që kanë jetuar në Kosovë, por që vetë mund të mos kenë jetuar asnjëherë në vend.
Qalaj e cilësoi këtë çështje si problematike dhe kërkoi shqyrtim të kujdesshëm të dispozitave ligjore që rregullojnë fitimin e shtetësisë.




