Deklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se gjyqtarët e kësaj gjykate “nuk kanë qenë asnjëherë objekt i ndikimeve apo ndërhyrjeve nga jashtë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre”, ka nxitur reagime dhe diskutime mbi pavarësinë e procesit gjyqësor.
Debati lidhet me zhvillimet e vitit 2021, kur një panel i Gjykatës së Apelit refuzoi kërkesën për lirim nga paraburgimi të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në atë kohë, gjyqtari Kai Ambos kishte shprehur mendim të veçantë, duke vlerësuar se gatishmëria e një shteti të tretë për të mbikëqyrur një të akuzuar mund të merrej parasysh në vendimin për lirim me kushte.
Më pas, Ambos u zëvendësua në panelin e Apelit, një veprim që mbrojtja e kishte kundërshtuar, duke e cilësuar si ndërhyrje në pavarësinë gjyqësore dhe në të drejtën për një proces të drejtë.
Po ashtu, janë rikthyer në vëmendje pretendimet për takime të përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit me diplomatë ndërkombëtarë gjatë vitit 2020. Kritikët e gjykatës argumentojnë se komunikime të tilla krijojnë perceptim për ndikim politik në proceset gjyqësore, ndërsa Dhomat e Specializuara vazhdimisht kanë mbrojtur qëndrimin se veprojnë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me ligjin.
Çështja vazhdon të mbetet subjekt debatesh publike, veçanërisht në lidhje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa institucionet e Speciales kanë mohuar vazhdimisht pretendimet për ndikime të jashtme në vendimmarrje.




