Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar rolin historik të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në promovimin e demokracisë dhe lirisë, gjatë pritjes së organizuar me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.
Në fjalimin e saj, Haxhiu tha se përvjetori i pavarësisë amerikane përfaqëson rikthimin te parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti amerikan, duke theksuar se pushteti e merr legjitimitetin nga qytetarët dhe duhet të kufizohet nga ligji, përfaqësimi dhe barazia.
Ajo rikujtoi lidhjet historike të shqiptarëve me SHBA-në, duke përmendur kontributin e figurave si Fan Noli, Faik Konica dhe Hasan Prishtina në promovimin e çështjes kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Haxhiu theksoi se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit, duke shtuar se udhëheqja e SHBA-së ndihmoi që e drejta për liri të shndërrohej në realitet për qytetarët e Kosovës.
Ajo nënvizoi se miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, partneritet dhe përkushtim ndaj demokracisë, duke shtuar se mënyra më e mirë për të nderuar këtë mbështetje është ndërtimi i një shteti të fortë dhe demokratik.




