Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të inflacionit për vitin 2026, sipas raportit të saj vjetor të dorëzuar në Kuvend.
Sipas vlerësimeve, ekonomia e vendit pritet të rritet rreth 3.5 për qind, ndërsa inflacioni mesatar mund të arrijë në 6.7 për qind. BQK thekson se ekonomia do të vazhdojë të mbështetet kryesisht në konsumin e brendshëm dhe eksportet, por paralajmëron se pasiguritë globale dhe tensionet gjeopolitike mbeten rrezik për ecurinë ekonomike.
Raporti tregon se gjatë vitit 2025 ekonomia ka vazhduar rritjen, por me ritëm më të ngadalësuar, duke u ndikuar nga rritja e importeve dhe bilanci negativ i tregtisë së jashtme. Konsumi dhe investimet kanë mbetur faktorët kryesorë të rritjes, ndërsa eksportet neto kanë pasur ndikim negativ.
Për vitin 2026, konsumi privat pritet të mbetet shtylla kryesore e rritjes, i mbështetur nga remitencat dhe të ardhurat e punëtorëve, ndërsa investimet parashihen të kenë ndikim negativ. Eksportet pritet të japin kontribut pozitiv, por importet vazhdojnë të ushtrojnë presion në bilancin tregtar.
BQK gjithashtu paralajmëron rritje të inflacionit, i cili në vitin 2025 është rritur mesatarisht në rreth 3.9 për qind, kryesisht për shkak të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Për vitin 2026, inflacioni pritet të përshpejtohet ndjeshëm, përpara se të stabilizohet gradualisht në vitin pasues.
Në raport theksohet se ekonomia e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në energji dhe ushqime, si dhe ndaj zhvillimeve në Bashkimin Evropian, që është partneri kryesor tregtar i vendit.




