E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Annu Prattipati, ka marrë sot një fanellë të Kombëtares së Kosovës nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Prattipati ka realizuar edhe fotografi me fanellën simbolike, e cila mban numrin 250 në nder të këtij përvjetori.
Ambasada e SHBA-së ka bërë të ditur se ajo është ndier e nderuar për këtë dhuratë dhe ka falënderuar FFK-në për gjestin, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve.
“E Ngarkuara me Punë Annu Prattipati u nderua duke pranuar një fanellë të ekipit kombëtar të Kosovës me numrin 250, në nder të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara. Faleminderit Federatës së Futbollit të Kosovës për këtë gjest domethënës dhe për festimin e miqësisë së qëndrueshme midis dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.




