Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të institucionit.
Sipas tij, këto kontrolle synojnë verifikimin e respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore, licencave dhe kërkesave ligjore nga operatorët ekonomikë.
Muja theksoi se qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve është mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i sigurisë së ushqimit dhe krijimi i kushteve të barabarta për bizneset që respektojnë ligjin.
Ai shtoi se kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë pa dallim, duke nënvizuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se zbatimi i tij duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.




