Mijëra punëtorë në Kosovë pritet të përfitojnë nga rritja e pagës minimale në 500 euro bruto në muaj, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo rritje do të sjellë përmirësim real të standardit të jetesës, duke marrë parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve. Deri më tani nuk është publikuar ndonjë analizë zyrtare mbi ndikimin e saj në fuqinë blerëse të familjeve.
Sipas ekspertëve, paga e re minimale nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje në Kosovë. Rritja është vendosur nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2025 dhe po zbatohet në dy faza, ndërsa prek rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se bizneset nuk janë konsultuar dhe se nuk është parë asnjë studim për ndikimin e vendimit. Ai vlerëson se paga aktuale nuk i mbulon kostot reale të jetesës.
Edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu kritikon mungesën e analizave paraprake, duke thënë se vendimi është politizuar dhe nuk është bazuar në trendët ekonomikë dhe inflacionin.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja mund të ndikojë në tregun e punës dhe të rrisë presionin mbi bizneset, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, ndërsa efekti real në mirëqenie mbetet i kufizuar për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe varësisë nga importi.




