Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar gazetën “Rilindja” si një nga institucionet më të rëndësishme të historisë së shtypit dhe emancipimit shoqëror në vend.
Në një postim në Facebook, ai theksoi rolin e saj në zhvillimin e gjuhës shqipe të shkruar dhe dokumentimin e ngjarjeve historike, duke e cilësuar si një referencë të qëndrueshme në kohë.
Kurti tha se “Rilindja”, për dekada të tëra, ka qenë pjesë e rëndësishme e historiografisë shqiptare dhe e procesit të emancipimit shoqëror, së bashku me institucione si Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Ai njoftoi gjithashtu se, në kuadër të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka takuar ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë të kësaj gazete, ku është diskutuar rëndësia e raportimit të ngjarjeve historike.




