Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ende nuk i kanë marrë pagat e muajit, duke shtyrë Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) të kërkojë nga menaxhmenti ekzekutimin urgjent të tyre dhe sqarime për arsyet e vonesës.
SPERTK shprehu shqetësimin se edhe më 3 korrik punëtorët vazhdojnë të jenë pa paga, duke theksuar se ata nuk duhet të bartin pasojat e problemeve financiare apo administrative të institucionit.
Sipas sindikatës, vonesa e pagave po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë financiare dhe motivimin e punëtorëve, të cilët kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm pavarësisht sfidave me të cilat është përballur RTK-ja.
SPERTK rikujtoi gjithashtu se paga minimale prej 500 eurosh tashmë është në fuqi në Kosovë dhe kërkoi që zbatimi i saj të reflektohet pa vonesa edhe në RTK, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sindikata pret një përgjigje zyrtare nga menaxhmenti sa më shpejt, ndërsa paralajmëron se në mungesë të një zgjidhjeje konkrete do të shqyrtojë ndërmarrjen e veprimeve sindikale për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve.




