Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të zgjasë edhe për 30 ditë masën e përkohshme për rregullimin e çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e tregut.
Sipas ministrisë, vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit nuk kanë shënuar ulje.
Në komunikatë theksohet se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të pabarabartë në tregun vendor, ku rritjet zakonisht përcillen më shpejt se uljet.
Me vendimin e ri, është përcaktuar edhe formula e llogaritjes së çmimeve maksimale: çmimi me shumicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi me pakicë plus 12 eurocentë për litër.
MINTI u ka bërë thirrje subjekteve tregtare që të respektojnë vendimin dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për shkelësit e rregullave në fuqi.




