Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejonë Mihali, ka reaguar pas zhvillimeve dhe reagimeve publike lidhur me mbylljen e përkohshme të qumështores “Vita”, duke hedhur akuza ndaj grupit Devolli dhe personave që, sipas saj, lidhen me ta.
Në një postim në rrjete sociale, ajo ka pretenduar se reagimet publike janë të ndikuara nga interesa të lidhura me pronësinë e kompanisë. Sipas saj, pas këtyre reagimeve qëndrojnë individë dhe struktura të afërta me Devollët.
Mihali ka përmendur edhe strukturën pronësore të kompanisë, duke pretenduar lidhje me një kompani të regjistruar jashtë vendit dhe me persona të lidhur me familjen Devolli.
Ajo ka shtuar se reagimet në rrjete sociale dhe në opinionin publik janë të koordinuara dhe të nxitura nga grupe të ndryshme politike dhe ekonomike, duke përfshirë edhe figura nga opozita dhe përfaqësues institucionalë.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime në opinion, ndërsa ajo ka kritikuar edhe disa figura publike për mënyrën e reagimit të tyre në këtë çështje.




