Pakënaqësia e fermerëve të qumështit në Kosovë ka arritur kulmin, pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat. Ata kanë paralajmëruar protestë për të hënën para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po rrezikon seriozisht funksionimin e fermave dhe i çon drejt falimentimit.
Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka bërë të ditur se vendimi për protestë është marrë unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik.
“Protesta është e pashmangshme për shkak të mosgrumbullimit të qumështit të freskët nga fermat tona, ndërsa institucionet kompetente kanë qëndruar indiferente”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Sipas tyre, protesta do të mbahet më 6 korrik, duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë.
Fermerët kanë paraqitur tre kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve për të hequr dyshimet mbi produktet vendore, si dhe kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit për të shmangur falimentimin e fermave.
Ata kanë bërë të ditur se në protestë do të dalin me traktorë dhe cisterna qumështi, ndërsa kanë ftuar edhe qytetarët të marrin bidonë, pasi gjatë aktivitetit është paralajmëruar shpërndarje e qumështit falas.




