Kroacia pritet të rrisë numrin e ushtarëve të saj në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anušić.
Duke folur në Samitin e NATO-s në Ankara, Anušić deklaroi se Kroacia synon që kontingjenti i saj në KFOR të arrijë deri në 200 ushtarë, aq sa lejon vendimi i Kuvendit të Kroacisë.
Aktualisht, Kroacia ka rreth 130 pjesëtarë të angazhuar në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Sipas ministrit kroat, ky vendim vjen në një kohë kur po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të trupave të KFOR-it, ndërsa ai theksoi se prania e NATO-s në Ballkanin Perëndimor mbetet e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
NATO ka njoftuar më herët se mund të reduktojë praninë ushtarake në KFOR për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, pas shtimit të trupave në vitin 2023 si reagim ndaj tensioneve në veri.




