Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesës së tij lidhur me rinumërimin e votave preferenciale.
Haxhiu e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se, ndonëse respekton institucionin e Gjykatës Supreme, nuk pajtohet me arsyetimin e dhënë.
Sipas tij, ankesa është mbështetur në raportin e Sekretariatit të KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve, ku pretendon se janë evidentuar parregullsi në disa komuna dhe ndryshime në rezultatet e votave.
Ai ka kundërshtuar vlerësimin se gabimet kanë qenë të izoluara, duke pretenduar se ato kanë prekur procesin në disa zona të vendit.
Haxhiu ka ngritur kritika edhe ndaj KQZ-së, duke thënë se nuk janë ofruar të gjitha të dhënat për ndryshimet e votave mes kandidatëve, ndërsa ka theksuar se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që ka marrë mandat është 102 vota.
Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij dhe të sigurohet, sipas tij, që vota e qytetarëve të numërohet saktë.
Në fund, Haxhiu ka falënderuar 20 mijë e 541 qytetarët që, sipas tij, e kanë mbështetur në zgjedhje dhe u ka uruar sukses deputetëve të zgjedhur të PDK-së.




