Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të angazhohet për krijimin e një koalicioni funksional dhe për sigurimin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Në një postim në platformën X, pas vizitës së tij në Kosovë, Terras ka theksuar se vendit i nevojiten institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“E inkurajoj kryeministrin Kurti të tregojë burrështetësi për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit”, ka shkruar ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Terras është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, liderët e partive politike, përfshirë Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin.
Ai ka bërë të ditur se në takime është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës, sipas tij, është në Bashkimin Evropian, por kërkon reforma dhe stabilitet institucional.




