Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan në mënyrë të qetë, konkurruese dhe të rregullt, ndërsa certifikimi i rezultateve shënon përmbylljen e procesit zgjedhor.
Sipas DnV-së, administrimi i zgjedhjeve ishte përgjithësisht profesional dhe procesi nuk u shoqërua me incidente që do të cenonin integritetin e tij. Megjithatë, organizata thekson se zgjedhjet nxorën në pah sfida të vazhdueshme, si mungesa e rregullimit të parafushatës, transparenca e pamjaftueshme e financimit të subjekteve politike, vështirësitë në votimin jashtë vendit dhe qasja e kufizuar për personat me aftësi të kufizuara.
DnV njoftoi se raporti përfundimtar me gjetjet dhe rekomandimet do të publikohet në javët në vijim, ndërsa i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që reformën zgjedhore ta vendosë ndër prioritetet e para të legjislaturës së re.




