Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se Samiti i NATO-s për vitin 2027 do të organizohet në Tiranë.
Konfirmimi u bë gjatë një konference për media pas samitit të Aleancës, ku liderët e vendeve anëtare diskutuan për sigurinë euroatlantike, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe sfidat aktuale të NATO-s.
Më herët, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte bërë të ditur se Shqipëria do të ishte mikpritëse e samitit të vitit 2027, ndërsa deklarata e Rutte e konfirmoi zyrtarisht këtë vendim.
Organizimi i Samitit të NATO-s në Tirana shënon një moment historik për Shqipërinë, pasi do të jetë hera e parë që vendi pret ngjarjen më të rëndësishme politike të Aleancës.
Pas konfirmimit, Rama reagoi përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke theksuar se Shqipëria do të jetë nikoqire e samitit dhe se vendi tashmë ka fituar besimin për të organizuar ngjarje të këtij niveli.
Samiti i NATO-s në vitin 2027 pritet të mbledhë në Tiranë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe delegacione të nivelit të lartë, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit euroatlantik.




