Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) u ka drejtuar një letër publike ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me mosekzekutimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.
Sipas sindikatës, pagat e muajit përkatës ende nuk janë realizuar, duke e cilësuar këtë situatë si cenim të të drejtave të punëtorëve dhe mungesë transparence nga organet drejtuese të transmetuesit publik.
Në letër thuhet se kjo nuk është hera e parë që punëtorët përballen me vonesa të tilla, duke rikujtuar edhe protestat e mbajtura më 7 qershor për të njëjtën çështje.
Federata Sindikale ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale për zgjidhjen e situatës dhe ka paralajmëruar vazhdimin e veprimeve sindikale dhe procedurave ligjore nëse nuk ka reagim.
Sindikata ka kritikuar gjithashtu Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së për mungesë informimi dhe llogaridhënieje lidhur me vonesat e pagave./EO/




