Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan për Erdonis Nuredinin dhe Rabit Idrizin, të cilët akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë të E.R., rast që lidhej me një borxh prej 250 eurosh.
Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndërsa ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara.
Sipas vendimit, provat e administruara nuk kanë vërtetuar se Nuredini dhe Idrizi kanë kryer veprime që do të përbënin ndihmë në kryerjen e vrasjes. Gjykata ka konstatuar se ata nuk kishin dijeni se Valdrin Halimi posedonte armë apo se kishte shkuar me qëllim për ta vrarë viktimën.
Apeli ka vlerësuar gjithashtu se pas ngjarjes, dy të akuzuarit vetëm e kanë dërguar Halimin e plagosur në spital për t’i ofruar ndihmë.
Ndërkohë, Valdrin Halimi mbetet i dënuar me 12 vjet burgim për vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.




