Policia e Kosovës ka organizuar Garën e Auto Sllallomit me Vetura Elektrike, me qëllim promovimin e sigurisë në trafik, mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit të teknologjive të qëndrueshme.
Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Këshillit Mbikëqyrës të Shoqatave Sportive të Policisë, në bashkëpunim me Auto Moto Club Kosova (AMCK) dhe Federatën e Auto Sporteve të Kosovës (FASK).
Sipas njoftimit të Policisë, gara u zhvillua nën moton “Në shërbim të Atdheut, deri në fund”, në nderim të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtoritë rajonale, të cilët garuan në disiplinën e Auto Sllallomit sipas standardeve sportive dhe të sigurisë.




