Eksperti ushtarak Berat Shala ka deklaruar se koncepti i ashtuquajtur “NATO 3.0” nuk është një ide e re, por rezultat i një procesi të gjatë studimor dhe diskutimesh brenda aleancës.
Sipas tij, ky koncept synon shpërndarjen e barrës së mbrojtjes ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe rikthimin e aleancës te misioni i saj themelor.
Shala theksoi se, pas periudhës së Luftës së Ftohtë dhe angazhimeve në misione paqeruajtëse jashtë territorit të aleancës, fokusi tashmë po rikthehet te mbrojtja kolektive dhe frenimi i kërcënimeve, veçanërisht atyre që vijnë nga Rusia.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, ndërsa SHBA të përqendrohet në kapacitete strategjike si inteligjenca, planifikimi ushtarak dhe mbështetja në hapësirë.




