Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës kanë diskutuar për rëndësinë e sigurisë juridike dhe zbatimit efikas të ligjit për klimën e biznesit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Përmbaruesve Privatë, Mehdi Reshani, ku u trajtuan çështje që lidhen me procedurat përmbarimore, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe ndikimin e tyre në ekonomi.
Shahini ka theksuar se një sistem i besueshëm i drejtësisë dhe përmbarimit është i domosdoshëm për rritjen e besimit të investitorëve dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve.
Ndërsa Reshani ka vlerësuar bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, duke theksuar se përmbarimi luan rol të rëndësishëm në funksionimin e shtetit ligjor.
Palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta me qëllim përmirësimin e sistemit të përmbarimit dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset.




