Stacioni Policor në Kamenicë ka mbajtur takim me inspektorët komunalë dhe pronarët e bizneseve të gastronomisë, me qëllim të koordinimit të masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror.
Takimi u zhvillua në kuadër të Planit Operativ “Sezoni Veror 2026”, ku u diskutua për organizimin e ahengjeve, dasmave dhe aktiviteteve të tjera, duke pasur parasysh edhe ardhjen e mërgimtarëve gjatë kësaj periudhe.
Komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, kapiten Basri Shkodra, tha se qëllimi i takimit është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe respektimi i ligjeve dhe rregullave në fuqi.
Pjesëmarrësit shprehën gatishmëri për bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Komunal, me qëllim të zbatimit të pikave të diskutuara.
Policia e Kosovës ka theksuar se, së bashku me partnerët e sigurisë dhe institucionet komunale, do të vazhdojë angazhimin për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.




