Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se komuna po përballet me vështirësi të mëdha financiare, duke thënë se gjatë viteve të fundit nga buxheti komunal janë marrë mbi 40 milionë euro.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se vetëm gjatë këtij viti janë marrë mbi 17 milionë euro, mjete që sipas tij do të mund të përdoreshin për investime në rrugë, shkolla, shëndetësi dhe projekte të tjera për qytetarët.
Ai ka fajësuar për këtë situatë barrën financiare të Kontratës Kolektive, duke thënë se edhe pse ajo është obligim i Ministrisë së Arsimit, kostoja është bartur te komunat.
Totaj theksoi se Komuna e Prizrenit vazhdon të pranojë kërkesa nga qytetarët për investime dhe kërkoi mirëkuptim për vonesat në disa projekte, duke thënë se ato nuk lidhen me mungesën e vullnetit, por me kufizimet financiare.
Ai shtoi se do të vazhdojë të kërkojë bashkë me institucionet qendrore një zgjidhje për këtë çështje, në mënyrë që komunat të mund të vazhdojnë investimet dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.




