Policia Rajonale në Gjakovë ka identifikuar dhe ndëshkuar një person që i kishte mundësuar një 12-vjeçari të drejtonte automjetin në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Rasti është zbuluar pas një video-incizimi të dërguar nga qytetarët në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku shihej një person madhor duke e lejuar fëmijën të ulej në ulësen e shoferit dhe të drejtonte automjetin, ndërsa vetë e regjistronte ngjarjen.
Pas veprimeve operative dhe hetimore nga Stacioni Policor në Malishevë, personi është identifikuar dhe ndaj tij janë ndërmarrë masa ligjore.
Policia ka bërë të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 400 eurosh, pesë pikë negative dhe ndalim i drejtimit të të gjitha mjeteve motorike për gjashtë muaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar te prindërit dhe drejtuesit e automjeteve që të mos lejojnë personat e mitur apo të paautorizuar të drejtojnë automjete, duke theksuar se një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për sigurinë në trafik.




