Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë lidhur rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve të marra nga institucionet e vendit.
AKB ka vlerësuar se ky zhvillim duhet të shërbejë si një sinjal serioz për institucionet kosovare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me SHBA-në, të cilën e cilëson si aleatin kryesor të Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar.
Sipas AKB-së, çdo përkeqësim i raporteve me partnerët strategjikë mund të ketë ndikim jo vetëm në aspektin politik, por edhe në ekonomi, klimën e investimeve dhe zhvillimin e vendit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova duhet të mbrojë interesat e saj shtetërore, por njëkohësisht të ndjekë politika të koordinuara me aleatët dhe të respektojë obligimet ndërkombëtare.
“Diplomacia nuk është dobësi, por një mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e interesit shtetëror”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka shtuar se interesat e Kosovës duhet të jenë mbi dallimet politike dhe se forcimi i partneritetit me SHBA-në dhe aleatët është i domosdoshëm për një të ardhme më të sigurt dhe më të zhvilluar për vendin.




