Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë mbajtur fjalët përfundimtare në rastin ndaj Besart Kelmendit dhe Behar Çelajt, të akuzuar për lëndim të rëndë trupor ndaj Arbnor Latifit.
Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim efektiv për të dy të akuzuarit, duke propozuar deri në 5 vjet burg për Kelmendin dhe 3 vjet për Çelajn.
Sipas prokurorit Kastriot Berisha, gjatë procesit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje, ndërsa ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë.
Kërkesës së prokurorisë i është bashkuar edhe përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit, ndërsa mbrojtja e dy të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat dhe ka kërkuar trajtim më të favorshëm ose lirimin e tyre.
Gjykata ka njoftuar se vendimi për këtë rast do të shpallet më 21 korrik./EO/




