Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e tyre.
Çdo zjarr, qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme të mëdha materiale dhe të dëmtojë rëndë mjedisin.
Apelojmë që të shmanget djegia e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.
Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, me dashje ose nga neglizhenca.
Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies apo çdo situatë që mund të paraqesë rrezik.
Së bashku mund të mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin tonë.




