Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Satteins të Austrisë, ku një 41-vjeçar dhe vajza e tij 6-vjeçare kanë humbur jetën pas përmbysjes së një traktori.
Sipas raportimeve të mediave austriake, babai ishte duke udhëtuar me dy vajzat e tij në një zonë të pjerrët, kur traktori me rimorkion e rëndë humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke u përmbysur disa herë.
Nga aksidenti humbën jetën babai dhe vajza 6-vjeçare, ndërsa vajza tjetër 4-vjeçare u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital për trajtim.
Ngjarja ndodhi në një zonë të izoluar dhe aksidenti nuk u zbulua për disa orë. Nëna e fëmijëve, pasi vërejti vonesën e familjarëve, doli për t’i kërkuar dhe i gjeti të aksidentuarit, duke lajmëruar menjëherë ekipet emergjente.
Pas kësaj tragjedie është nisur një fushatë për mbështetjen e familjes, ku deri tani janë mbledhur mbi 550 mijë euro. Banorët e zonës dhe ekipet e shpëtimit kanë shprehur dhimbje të thellë për këtë ngjarje.




