Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar nënshkrimin e marrëveshjes me Komunën e Podujevës për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë.
Projekti, me vlerë prej mbi 3.1 milionë euro, do të financohet nga ministria dhe synon krijimin e kushteve për zhvillim të prodhimit, investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej 29 hektarësh, ndërsa sipas Kusari-Lilës ka interes nga bizneset për investime.
Ajo tha se projekti do të zhvillohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe është pjesë e planit për krijimin e një rrjeti të parqeve industriale në Kosovë.




