Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut mbeten ndër prioritetet kryesore të ministrisë.
Ajo njoftoi se nga muaji gusht, numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të rritet nga 25 në 43, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit të arrijë në 100 inspektorë.
Sipas Kusari-Lilës, shtimi i kapaciteteve të inspektoratit do të mundësojë mbrojtje më të madhe për qytetarët nga mashtrimet, manipulimet dhe shkeljet në treg.
Ajo ka falënderuar inspektorët për punën e tyre dhe ka përmendur aksionet e realizuara në tregun e derivateve të naftës, kontrollin e njehsorëve elektrikë, etiketimin e produkteve ushqimore dhe inspektimet ndaj bizneseve.
Kusari-Lila ka theksuar se forcimi i inspektoratit do të kontribuojë në krijimin e një tregu më të sigurt, më të drejtë dhe më të rregulluar për konsumatorët.




