Kongresisti amerikan Joe Wilson ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” nëse do të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit.
Wilson i ka cilësuar deklaratat e zyrtares serbe si “të neveritshme dhe nxitëse”, duke thënë se ato duhet të jenë arsye që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mos e shqyrtojë kërkesën e Serbisë për organizimin e takimit vjetor të vitit 2027 në Beograd.
“OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka shkruar Wilson në platformën X.
Ai ka theksuar se deklarata të tilla nuk përputhen me misionin e një organizate që synon paqen dhe stabilitetin në Evropë.




