Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm nga paraburgimi në Hagë.
Sipas shkresës së kryeprokurores së ZPS-së, Kimberly West, ish-presidenti i Kosovës duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, për shkak të rreziqeve që, sipas prokurorisë, lidhen me mundësinë e ndikimit në procedura dhe kryerjes së veprave të tjera penale.
Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar lirimin e tij të përkohshëm, duke ofruar edhe një garanci financiare prej 50 mijë eurosh. Megjithatë, ZPS-ja vlerëson se kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet e pretenduara.
Në dokumentin e dorëzuar në gjykatë thuhet se procesi gjyqësor po ecën me ritëm të shpejtë, ndërsa kjo, sipas prokurorisë, është një arsye shtesë që Thaçi të mbetet në paraburgim.
Procedurat për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes pritet të vazhdojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.




