Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar “goditje reale”, duke kërkuar hapa nga Prishtina për rikthimin e besimit të Uashingtonit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier ka folur për çështjen e gazit dhe ka bërë thirrje që Kosova të shqyrtojë pjesëmarrjen në projektet amerikane për gazin natyror të lëngshëm (LNG).
Sipas tij, vendet e tjera të rajonit kanë avancuar në bashkëpunimin me SHBA-në në këtë fushë, ndërsa Kosova ende nuk ka dhënë një përgjigje pozitive.
Hovenier ka theksuar se vëmendja e Uashingtonit nuk është e pakufizuar dhe se Kosova duhet të ndërmarrë hapa për të forcuar partneritetin strategjik me SHBA-në.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur se rifillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme dhe përmbushja e disa zotimeve./EO/




