Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Emin Riza, duke e vlerësuar si një nga studiuesit më të shquar të arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Kurti ka theksuar se Riza la pas një trashëgimi të rëndësishme shkencore, me 18 monografi dhe mbi 100 artikuj shkencorë, duke kontribuar në hulumtimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës në Shqipëri dhe trevat shqiptare.
Sipas tij, akademiku Emin Riza kishte rol të rëndësishëm edhe në përgatitjen e dosjeve që mundësuan përfshirjen e qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën veprën e akademikut të ndjerë.




