Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, ka zhvilluar një aksion ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh.
Bastisjet janë kryer në tri lokacione të ndryshme, ndërsa të dyshuarit me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh. dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë komunikime, kontakte mes të dyshuarve dhe dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, dokumentet e falsifikuara dyshohet se përfshinin letërnjoftime, patentë shoferë dhe pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane, të cilat dyshohet se u ofroheshin personave që kërkoheshin me urdhër-arreste ndërkombëtare.
Hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.




