Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë të ditur se mbi 2 mijë biznese janë shuar, mbyllur ose kanë ndërprerë aktivitetin gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në maj të këtij viti janë regjistruar 1 mijë e 108 biznese, rreth 16.9 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se trendi i ndërmarrësisë në Kosovë po përkeqësohet, pasi krahas rënies së bizneseve të reja, numri i bizneseve që kanë pushuar aktivitetin është rritur.
Sipas tij, nga bizneset e mbyllura kanë mbetur pa punë mbi 5 mijë punëtorë, ndërsa faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë gjendje janë konkurrenca e ashpër në treg, çmimi i lartë i energjisë elektrike, politikat fiskale dhe procedurat e gjata administrative.
Shahini ka thënë se shumë biznese nuk i ndjekin procedurat zyrtare për mbyllje për shkak të vështirësive administrative, por në praktikë ato kanë ndërprerë aktivitetin.
Ai ka kërkuar përmirësim të klimës biznesore, hapje më të madhe të tregut, trajtim të barabartë për bizneset dhe krijim të besimit në sistemin juridik e institucional, me qëllim të nxitjes së investimeve vendore dhe të huaja.




