Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të një urdhri të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është duke u zhvilluar një proces zhvarrosjeje (ekshumimi) në një lokacion në komunën e Zubin Potokut, me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore.
Sipas Prokurorisë Speciale, ky veprim po realizohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që janë në zhvillim.
Në lidhje me rastin, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, të identifikuar me inicialet M.J. dhe M.B.
Procesi i ekshumimit po zhvillohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës.
Prokuroria ka bërë të ditur se informacione shtesë do të publikohen vetëm në atë masë që nuk dëmtojnë procedurën penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.
Institucionet përgjegjëse kanë ritheksuar përkushtimin për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.




