Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka aprovuar ankesën e një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), duke anuluar vendimin për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik në Kroaci.
Vendimi lidhet me një akt të MPJD-së, të nxjerrë në kohën kur ministrinë e drejtonte Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas KPMShCK-së, zyrtari ishte caktuar në Ambasadën e Kosovës në Zagreb në vitin 2025 me mandat katërvjeçar, por në janar të vitit 2026 ministria kishte vendosur ta tërhiqte nga misioni dhe ta kthente në Kosovë.
Zyrtari kishte paraqitur ankesë, duke pretenduar se vendimi ishte marrë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe pa bazë të mjaftueshme.
Pas shqyrtimit të rastit, KPMShCK ka vlerësuar se ankesa ishte e bazuar, duke konstatuar se procedurat nuk ishin zbatuar plotësisht. Për këtë arsye, vendimi i MPJD-së është anuluar dhe lënda është kthyer për rishqyrtim.
MPJD është obliguar që brenda 15 ditësh ta shqyrtojë sërish rastin dhe të nxjerrë një vendim të ri, duke marrë parasysh vërejtjet e KPMShCK-së.




