Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur rizgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se ky zhvillim hap rrugën për rifillimin e takimeve politike për zgjedhjen e presidentit.
Haxhiu tha se procesi i brendshëm në LDK ka krijuar qartësi dhe se tashmë mund të vazhdojnë diskutimet mes partive për arritjen e një marrëveshjeje.
Ajo theksoi se nuk i takon të komentojë zhvillimet e brendshme të partive politike, por nënvizoi rëndësinë e angazhimit serioz nga të gjitha palët për të arritur konsensus për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Kosovës.
Sipas saj, takimet politike duhet të rifillojnë sa më shpejt, me synim funksionalizimin e institucioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.




