Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar një person të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas hetimeve, rasti nisi pasi i dyshuari B.K. u paraqit në Agjencinë e Regjistrimit Civil për vazhdimin e dokumenteve të identifikimit. Gjatë verifikimit u konstatua se identiteti i përdorur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh.
Pas hetimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, është zbuluar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme në disa shtete evropiane.
Autoritetet kanë konfirmuar se identiteti i tij i vërtetë është E.K., shtetas i Shqipërisë, i cili rezultonte në kërkim ndërkombëtar me njoftim të kuq të Interpolit. Sipas autoriteteve shqiptare, ai është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
I dyshuari është ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa më pas gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit.




