Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme do të zbatohen kufizime të përkohshme për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit, kufizimi do të jetë në fuqi në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta, të cilat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32°C.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i kamionëve do të zhvillohet normalisht, pa kufizime.
Nga kjo masë përjashtohen automjetet e Policisë, shërbimeve emergjente, institucioneve shëndetësore dhe organeve të tjera të sigurisë.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjen sipas orarit të përcaktuar.




