Mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar deri tani për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se procesi i aplikimit po zhvillohet pa probleme teknike dhe do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.
Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar, Anita Kadriu, ka bërë të ditur se deri të hënën kanë aplikuar 123 mijë e 829 prindër, ndërsa ka ftuar ata që ende nuk kanë aplikuar që ta përfundojnë procesin në mënyrë që subvencionet të transferohen me kohë.
Sipas saj, shuma e përfitimit për secilin nxënës ende nuk është përcaktuar, pasi ajo do të varet nga numri i teksteve mësimore dhe numri përfundimtar i përfituesve.
Për herë të parë këtë vit, të drejtë aplikimi kanë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Kosovë, nëse fëmijët e tyre vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Pas përfundimit të aplikimeve, Ministria e Arsimit do të nisë procesin e verifikimit përmes koordinatorëve nëpër shkolla, njësoj si në vitin e kaluar.




